Kombëtarja mundi Hungarinë pasi mësoi që të mos pësonte gola! Broja, hero!

Nuk thuhet kot se fatin nuk mund ta kesh gjithnjë kundër. Gjithsesi, kombëtaren shqiptare nuk e ndihmoi vetëm destini në fitoren minimale, por tepër të rëndësishme ndaj Hungarisë në eleminatoret e Botërorit. Lojës së mirë në sulm të zhvilluar në Poloni, kuqezinjtë i shtuan edhe kundesin në mbrojtje, dhe kjo shmangu një tjetër turpërim që do të na kishte habitur. Suksesi u arrit vërtet në fund, falë një perle të Armando Brojës, por ishte i merituar për t’u realizuar shumë më shpejt, pasi ekipi ynë pati epërsi thuajse të plotë në “Elbasan Arena”, që nga fillimi deri në fund.

Nuk prishën punë mungesat e rëndësishme të Hysajt, Bares e Manajt të dëmtuar, apo edhe ajo e Sokol Cikalleshit të dëmtuar. Madje, u përballuan edhe lëndimet e debutuesit Nedim Bajrami dhe të “luftëtarit” Abrashi. Kjo, sepse trajneri Edi Reja ka krijuar një kombëtare me nga dy lojtarë për çdo pozicion, ndaj edhe mjaftuan Uzuni, Balaj, Doka, Roshi apo Broja. Debutimi i Bajramit po ashtu ishte lajm i mirë për 62 minuta që luajti, duke organizuar lojën e duke provuar madje edhe portën. Kombëtarja ka fituar një lojtar me mjaft rëndësi.

Edhe më shumë rëndësi kishte fitorja që e ngjiti ekipin në kuotën e 9 pikëve, duke lënë pas Hungarinë që ka 7 pikë, ndërsa Anglia vazhdon kryesimin e grupit i me 15 pikë të plota. Goli i Brojës ishte i veçantë, si i pari që i kemi shënuar një kundërshtari si Hungaria, që na ka shkaktuar humbjen në histori, 12-0.

Sfidanti.al