Formula 1 lejon 140 000 tifozë në Silverston, por Hamilton shqetësohet

Çmimi i Madh i Britanisë së Madhe në muajin korrik do të zhvillohet me maksimumin e spektatorëve të pranishëm në pistë. Ky është vendimi i autoriteteve shëndetësore britanike, dhe cilësohet si prova më serioze e “pasaportës Kovid” të krijuar nga shteti britanik. Kjo do të thotë se në Silverston do të jenë 140 000 tifozë në prag të “Ditës së Lirisë” në 19 korrik. Gjithsesi, shtatë herë kampioni i botës, Ljuis Hamilton, ka shprehur dyshimet dhe frikën e tij se ky vendim mund të jetë i parakohshëm, ndonëse publiku në Silverston mund ta ndihmojë në konkurrimin e tij me Maks Verstapenin për titullin e 8-të botëror, që do të ishte një rekord në Formula 1. “Jam i dyzuar, – tha piloti 36-vjeçar i Mercedesit, – jam pamasë i lumtur dhe i emocionuar që tifozët do të kthehen, por ky grumbullim masiv mund të ketë edhe pasoja”. Më 2019, gjatë 3 ditëve të Çmimit të Madh, në Silverston ishin 351 000 njerëz, me 141 000 të dielën e garës.

Sfidanti.al