Xhejms Milner çmerit tifozët me nivelin e tij të formës

Moshën e ka 35 vjeç e 6 muaj, pra nuk është aspak i ri, por kjo nuk “përkthehet” në rënie forme. Xhejms Milner, mesfushori i Liverpulit, po përgatitet fort për të nisur sezonin e tij të 20-të në karrierë, që të gjithë në elitën e futbollit britanik (Premier Ligë), ndërsa i ka habitur tifozët duke botuar të dhënat e stërvitjes. Anglezi veteran po bën përgatitje fiziko-atletike individuale, pasi shokët e tjerë janë ose në Europian, ose në Kupën e Amerikës, e ndonjëri me pushime.

Ai botoi të dhënat e vrapimeve të distancave të ndryshme, dhe konkretisht 6 xhiro, shumica e të cilave prej 1.61 km, dhe vetëm njëra 0.48 km. Në total ai pati 8.53 km vrapim për 34’00”5, me mesatare 16.7 km në orë. Maksimumin e shpejtësisë e pati në xhiron e 6-të me mbi 18 km në orë, të dhëna vërtet të shkëlqyera për moshën e tij. Tifozët (besohet, shumica të Liverpulit) reaguan në rrjetet sociale duke shkruar “a je njeri?”, apo “unë mund ta bëja këtë vetëm kur isha 20 vjeç”, “kjo është çmenduri”, “ti je një model për lojtarët e rinj, një makinë e vërtetë”. Milner e nisi karrierën në 2002 me Lidsin, ka luajtur 770 ndeshje, ka shënuar 85 gola, shërbyer 131 asistë dhe fituar 9 trofe.

Sfidanti.al