Formula 1, Ikën Frenk Uilliams i shkatërruar që nga vdekja e Senës!

Jeta e tij ka qenë sikur të ishte rritur në Perëndimin e Egër. Jo se ishte mësuar të shtinte me pistoletë si në filmat “uestern”, por Frenk Uilliamsi ishte mësuar të merrej me biznes, të rrezikonte, të hynte në borxhe, dhe në fund fare edhe të fitonte. Njeriu jeton ashtu siç mësohet, ose si bujku që nuk ndahet nga toka, ose si hebreu i Babilonisë që shkruajti një libër të tërë fetar, Talmudin, sikur po shkruante ndonjë traktat të ekonomisë politike.

Ky Frenk Uilliams, një anglez i famshëm 72-vjeçar, fitoi shumë tituj kampion në Formula 1 me makinën që mbajti (dhe mban) emrin e tij, ndërsa këtë fundjavë legjendës i vjen fundi. Familja Uilliams e ka shitur skuadrën që prej një jave të paktën, dhe aksionet i ka një kompani biznesi amerikane “Dorilton Kapital”. Prej 8 vitesh, Sër Frenku ishte tërhequr nga bordi i skuadrës, ndonëse mbetej shefi, ndërsa punën e përditshme e bënte vajza e tij, Kleri (Clair). Pas Çmimit të Madh të Italisë këtë fundjavë, familja Uilliams nuk do të ketë më punë me ekipin.

Bashkë me Ferrarin dhe Meklarenin, Uilliamsi është një nga kompanitë më të mëdha të historisë së Formula 1 (sot edhe Mercedesi e Red Bulli), dhe ishte kurorëzimi i një guximi kokëkrisur të këtij burri 35-vjeçar, që e themeloi në 1977 duke pasur në krah inxhinierin e shquar, Patrik Hed (Head). Ai pati në skuadër pilotë shumë të mirë si Klej Regaconi, Alen Xhons, Najxhell Mansell, Demon Hill, por sidomos Airton Senën, i cili edhe gjeti vdekjen në timonin e një Uilliamsi në maj 1994 në Çmimin e Madh të San Marinos në Imola. Vdekja e legjendës ndikoi në mënyrë të pakthyeshme tek Sër Frenku, i cili nuk e mori veten që nga ajo kohë, ndërsa Uilliamsi arriti të fitonte vetëm dy tituj të tjerë, në 1996 me Hillin dhe 1997 me Zhak Vilnëvin.

Sfidanti.al