E tha saktë Lebron Xhejmsi para disa ditëve. “Gjëja më e vështirë është që të fitosh në këtë ligë”, – ishin fjalët e “Mbretit”, dhe kjo u rikujtua kur Bruklin Netsat u mundën në shtëpi pikërisht në mbrëmjen e rikthimit të Kevin Durantit, tashmë të shënuar nga Kovidi. Disfata iu shkaktua nga një skuadër e fortë si Filadelfia, e cila gjithsesi nuk cilësohet e nivelit të njujorkezëve. Zhoel Embijd shënoi 34 pikë, kapi 7 topa në tabela, vodhi 3 topa e bllokoi një gjuajtje në suksesin 110-102. Maksej shënoi 25 pikë dhe Seth Kërri 17 për Filadelfian. Bruklinit nuk i bënë punë 33 pikët e Durantit, dhe as tripëll dabëlli i Xhejms Hardenit që gjithashtu pati 33 pikë, 14 topa në tabela e 10 asistë. Bruklini vazhdon të kryesojë në Lindje me 23 fitore e 10 humbje, ndërsa Filadelfia është në vend të 6-të me 19 fitore e 16 humbje.
Sfidanti.al