Filadelfia është tjetër me Embijdin, këtë e mësoi edhe Majemi!

Vetëm Xhimi Batleri arriti ta mbante ritmin që duhej, ndërsa shokët e tjerë “e lanë në baltë”. Majemi Hit nuk ishte më vetvetja pasi Zhoel Embijd doli në parket për Filadelfian. Gjigandi nga Kameruni, që pritet të luajë për Francën në të ardhmen, la pas në kohën e duhur një dëmtim në fytyrë dhe ndihmoi ekipin e tij që të shkurtonte diferencën në 1-2 në serinë e raundit të dytë të plej ofit në Konferencën Lindore. Embijd, që mbajti një maskë në fytyrë, shënoi vetëm 18 pikë dhe kapi 11 topa në tabela, por prania e tij u ndje shumë nga kundërshtarët dhe nga shokët e tij të Filadelfias. Edhe pse nuk ishte shumë i saktë në gjuajtje, sërish loja e tij në mbrojtje ishte shumë e mirë dhe po ashtu zotërimi i tabelave. Rivali tij, qendra e Majemit, Bam Adebajo, shënoi vetëm 9 pikë dhe kapi vetëm 3 topa në tabela! Filadelfia fitoi bindshëm 99-79, falë një mbrojtjeje shumë të fortë dhe tani ka më shumë shpresë për t’u kualifikuar.

Sfidanti.al