Ferrari ende s’është gati, por Leklerku fitoi “pole position”-in e dytë radhazi!

Nuk ishte ndoshta përfundimi që mund të ishte nëse seanca e provave zyrtare do të kishte vazhduar deri në mbyllje. Gara për “pole position” në Çmimin e Madh të Azerbajxhanit u mbyll para kohe për shkak të shumë përplasjeve, dhe në vend të parë përfundoi Sharl Leklerk i Ferrarit. Ndoshta një e papritur, por piloti nga Montekarlo doli i parë edhe në provat zyrtare në Çmimin e fundit të Madh, atë në Principatë. Pas tij, Ljuis Hamilton me Mercedes dhe Maks Verstapen me Red Bull.

Leklerk dha kohën 1’41”218, Hamiltoni mbeti 232 të mijtat pas tij, ndërsa Verstapen ishte 345 të mijtat më i ngadalshëm. “Mendova se ishte një xhiro e keqe, – tha Leklerku më pas, – gjithsesi, dola i pari, pra nuk kam pse mërzitem”. “Ishte një përfundim qesharak, por kështu ndodhi, – tha Verstapen, – shpresojmë që të kemi nisje të pastër. Do të kisha dashur të isha më përpara, jemi në rrugë qyteti dhe gjithçka mund të ndodhë”. “Prova të mira për ne, – tha Hamiltoni, – një rezultat i mirë sepse nuk kemi qenë mirë këtë javë”. Në provat në pistën e Bakusë pati disa përplasje, të fundit ata të japonezit Cunoda dhe Sainzit.

Sfidanti.al