F1, Hamilton fiton me drithërima, Fetel i jep një gjysmëbuzëqeshje Ferrarit

Ljuis Hamilton fiton Cmimin e Madh të Monakos dhe regjistron fitoren e katërt sezonale. Britaniku fitoi në një garë që ishte më pak e mërzitshme nga sa u parashikua duke u ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit duke lënë pas Sebastian Fetel dhe Valteri Botas. Vendi i katërt për Vershtapen që në të vërtetë e mbylli garën i dyti, por që humbi pozicione për shkak të penalizimit.

Ljuis Hamilton e nisi garën nga pole position dhe arriti ta ruajë kryesimin e saj pavarësisht strategjisë së gabuar të skuadrës së tij me gomat. Britaniku që ishte nën sulmet e Maks Vershtapen, arriti t’u rezistojë sulmeve të holandezit duke marrë një fitore të cmuar që e lejon atë që të krijojë shkëputjen e parë kundrejt shokut të tij të skuadrës, Valteri Botas.

Episodi më domëthënës ndodh në startin e garës. Leklerk që nisej nga vendi i 16 për shkak të gabimit trashanik të skuadrës, kërkoi të nisë rekuperimin e pozicioneve. Por ai u përplas me Hulkenberg duke shkatërruar pjesën e pasme të makinës së tij dhe duke detyruar komistarët e garës që të nxjerrin në pistë Makinën e Sigurisë.

Të gjithë përfituan nga rasti për të hyrë në pit stop dhe pikërisht në korsinë e bokseve, Vershtapen me një manovër të kryer me një guxim të tepruar parakalon Botas për vendin e dytë me finlandezin që më pas bëri një pit stop të menjëhershëm për një problem në makinë duke zbritur në vendin e katërt pas Fetelit

Më pas erdhi edhe vendimi; 5 sekonda penalitet për Vershtapen për dalje të pasigurt që në fund i kushtoi holandezit vendin e dytë, pozicion që ia mori Fetel që me pak fat regjistroi rezultatin e tij më të mirë në këtë sezonal. po kështu Vershtapen me këtë penalizim humbi edhe vendin e tretë kundrejt Botasit

Më i humburi rezultoi Sharl Leklerk që në garën e shtëpisë së tij u detyrua të tërhiqej, por i ndërgjegjshëm që bëri gjithcka mundej në këtë të diel që ishte e kompromentuar. Gara e radhës do të jetë ajo e Montrealit në Kanada, një pistë ku Ferrari pritet të tregojë potencialin e tij.

sfidanti.al