Një fitore në shtëpi dhe një jashtë fushe ishin ndeshjet e mbrëmjes së fundit në kupën e kampionëve në basketboll për meshkuj. Reali i Madridit e Barcelona i mbyllën me sukses përballjet, dhe skuadrat spanjolle tani janë në pozicion të mirë për në katërshen finale. Mbi 10 000 tifozë ishin në Pallatin e Sportit në kryeqytetin e Spanjës, dhe nuk u zhgënyen, pasi Reali mundi Panathinaikosin 78-63, duke mos e vënë në diskutim fitoren për asnjë moment.
U shkëput 21-8 që në periodën e parë për të mos u arritur më, i udhëhequr nga argjentinasi Fakundo Kampaso. Ai shënoi 13 pikë, shërbeu 9 asistë, vodhi 5 topa nga kundërshtari dhe, ndonëse shtatshkurtër (1.80 metra) kapi 7 topa në tabela. Nuk ishte mbrëmje e mirë për spanjollët Rudi Fernandes e Felipe Rejes (që nuk luajti fare), por kjo nuk ndikoi. Për grekët, të vetmit që luajtën mirë ishin amerikanët Tomas e Kërkpatrik.
Suksesi i Barcelonës ishte ndoshta edhe më i rëndësishëm pasi u arrit në Turqi, ndaj Anadolu Efesit. Katalanasit ia dolën vetëm me 2 pikë, 74-72, në një përballje të ekuilibruar, ku skuadra e trajnerit Peshiç ishte vazhdimisht në avantazh, por me fare pak pikë. Hungarezi Adam Handa shënoi 17 pikë, kapi 4 topa në tabela e shërbeu 3 asistë, kroati Ante Tomiç pati 13 pikë, 7 topa në tabela, dhe francezi Tomas Hërtel shënoi 12 pikë. Reali kryeson serinë 2-0, ndërsa Barça e barazoi 1-1 me dy ndeshjet e radhës që do të luhen në Spanjë.
Sfidanti.al