Euroliga thyen rekordet e tifozëve, por ende larg NBA-së

Basketbolli i klubeve në Europë po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e mënyrës së jetës së qytetarëve të kontinentit të vjetër. Rekordi i spektatorëve në total dhe mesatarisht për ndeshje u thye përsëri, dhe shifrat janë në ngjitje, me mbi 2.25 milionë njerëz që ndoqën takimet në Arenat europiane, gjatë sezonit të rregullt.

Çdo spektakël në Euroligë u ndoq mesatarisht nga 8 864 spektatorë, një rritje prej 4.3 përqindësh në krahasim me sezonin e kaluar, ndërsa vjet pati rritje prej 13 për qind në krahasim me dy vjet më parë. Rekordi për këtë edicion vjen nga Lituania, ku Zhalgirisi pati 13 567 tifozë për ndeshje, ndërsa Euroliga po i ngjan gjithnjë e më shumë NBA-së, ku tifozët vijnë nëpër arena familjarisht dhe nuk shikojnë thjesht ndeshjen, por kanë edhe kënaqësi të tjera.

Gjithsesi, NBA mbetet larg. Liga profesioniste amerikane pati këtë sezon të rregullt një tjetër rekord total tifozësh, duke kaluar për herë të parë shifrën 22 milionë. Po ashtu, pati rekord për mesataren e njerëzve për ndeshje, me 17 987 spektatorë për çdo takim. Duket se basketbolli po njeh vetëm rritje, qoftë në Amerikë, qoftë në Europë.

Sfidanti.al