Euroliga si kampionati turk, tri fitore të Stambollit jashtë fushe!

Ishte vërtet një mbrëmje e veçantë kjo e fundit në Euroligën e basketbollit për meshkuj. Tri skuadrat turke arritën fitore në ndeshjet e dyta çerekfinale, madje që të gjitha jashtë fushe dhe ndaj kundërshtarëve tepër të fortë. Fenerbahçse mori suksesin e dytë radhazi në Athinë ndaj Panathinaikosit, nën drejtimin e mjeshtrit të stolit, Zheljko Obradoviç. Nënkampionët e Europës ia dolën 80-75 dhe sërish nuk u tronditën nga 18 000 tifozë në Pallatin e Sportit “Paqja e Miqësia”. Bogdan Bogdanoviç bëri një tjetër ndeshje të madhe me 25 pikë, 8 topa në tabela dhe 6 asistë, ndërsa Ekpe Udoh shtoi 22 pikë dhe 9 topa në tabela.

Po në Athinë, fitoi Anadolu Efes. Këtë herë u mposht i fuqishmi Olimpiakos, një nga favoritët për trofeun, me shifrat 73-71. Skuadra turke zhvilloi një periodë të tretë e të katërt të shkëlqyer, duke kaluar nga -7 në +2, me kontribut të shumë lojtarëve si Honejkat, Danston, Pol apo Grejnxhër. Spanulis e Princezis shkëlqyen për Olimpiakosin (nga 20 pikë secili), por nuk ia dolën mbanë.

Fitorja e tretë ishte gjithashtu mbresëlënëse. Gati 11 000 tifozë madrilenë nuk i besuan syve që skuadra e tyre, Reali, më e mira e fazës së rregullt, u mposht nga një rival pa shumë emër si Darushafakaja. Turqit kryesuan në tri nga katër periodat dhe fituan 84-80, falë një paraqitjeje shumë të mirë të katër basketbollistëve. Uonëmejkër shënoi 21 pikë, Uilbekin e Ziziç nga 17 dhe Klajbërn 13, ndërsa Anderson e Ziziç kapën nga 8 topa në tabela.

Fitorja e vetme jo turke e mbrëmjes ishte ajo e CSKA-së që mposhti në Moskë, Baskonian e Vitorias të Spanjës. Pavarësisht rezistencës së fortë të baskëve, rusët fituan 84-82 dhe kryesojnë 2-0 në serinë çerekfinale.

Sfidanti.al