Dimri nuk ndihet në Arenën e shkëlqyer moskovite, dhe aq më pak kur një lojtar nga “vendi i basketbollit”, nga Serbia, është në mbrëmjen e karrierës. Millosh Teodosiç shkëlqeu si kurrë ndonjëherë duke i dhënë i vetëm fitoren CSKA-së ndaj Baskonias së Vitorias nga Spanja. Rezultati ishte 112-84, ndërsa gati 7 000 spektatorë ishin dëshmitarët e 34 pikëve të serbit, me 5 gjuajtje të sakta për 3 pikë nga gjashtë të provuara, dhe me të 7-ta gjuajtjet për dy pikë të përfunduara në kosh. Teodosiç kapi edhe 2 topa në tabela, dha 10 asistë dhe i vodhi një top kundërshtarëve.
Milloshi realizoi rekordin e pikëve në karrierë, ndërsa dha asistin numër 1 000 në kompeticion. Baskët e nisën shumë mirë ndeshjen duke fituar periodën e parë 27-17, por nuk patën “benzinë” për më shumë. Në ndeshjet e javës së 9-të, Makabi fitoi në Pire ndaj Olimpiakosit 80-73, Fenerbahçe triumfoi në Milano 79-70, Reali i Madridit mundi në fushën e tij rusët e Uniksit të Kazanjit 89-75, Gallatasaraji u tregua më i fortë në Stamboll se Barcelona (78-64), Panathinaikosi fitoi derbin greko-turk me Darushafakanë 86-80, ndërsa Anadolu Efesi kaloi Crvena Zvezdën 100-79. Kryeson CSKA e Moskës, kampionia në fuqi e Europës me 8 fitore dhe vetëm 1 humbje, ndërsa pas saj janë Reali dhe Fenerbahçe.