Europa, kontinenti më i zhvilluar dhe më modern i botës, nuk është aq i mbarë sa duket. Të paktën, futbolli lë shumë për të dëshiruar, edhe pse nuk bëhet fjalë për atë që luhet. Spanja, vendi i spektaklit në kombëtare dhe në klube, ka nisur një “gjueti” të vërtetë ndaj klubeve kryesore, pasi shteti po kërkon milionat e eurove që i mungojnë në llogari. Agjencia e Mbledhjes së Taksave në vendin iberik pretendon se në vetëm 2 vjet (2010-2012) disa nga klubet i detyrohen arkës së shtetit me 52 milionë euro.
Reali i Madridit, Barcelona, Atletiko e Madridit, Sevilja dhe Valencia, pra “ajka” e La Ligës, janë në shënjestër. Bëhet fjalë për tatim mbi komisionet që u janë paguar agjentëve të futbollistëve për transferimet e kryera. Këto para besohet se janë pagesa indirekte për lojtarët, të cilëve u rritet rroga ndërsa shmangen taksat. Reali i detyrohet shtetit 11 milionë euro, plus 5 milionë interesa, Barcelona diçka më shumë 12+7 milionë, Atletiko 5 milionë, Valencia 6 dhe Sevilja 5 milionë.