Euroliga, Fenerbahçe hakmerret brenda në Moskë për finalen!

Riluajtja e finales së vjetshme të Euroligës ishte një surprizë e vërtetë. Jo që Fenerbahçe mundi të fitonte ndaj CSKA-së së Moskës, por që ia doli brenda në Rusi, madje me diferencë të madhe. Rezultati ishte 95-79 për turqit e trajnerit të shkëlqyer serb, Zheljko Obradoviç, edhe pse u arrit vetëm në kohën shtesë. CSKA-ja, kampionia në fuqi e Europës, ndjeu mungesën e dy prej yjeve të rëndësishëm si Nando De Kolo e Aron Xhekson, duke pësuar vetëm humbjen e dytë të sezonit.
Vendasit u shkëputën në periodën e parë, 23-13 dhe u duk se supermacia e tyre në kontinent do të vazhdonte. Nuk ishin të këtij mendimi stambollinjtë, që fituan tri periodat e tjera duke e dërguar ndeshjen në kohën shtesë. Në pesë minuta, skenari ishte totalisht i ndryshëm, pasi turqit shënuan 20 pikë dhe moskovitët vetëm 4. Millosh Teodosiç udhëhoqi vendasit me 21 pikë, 5 topa në tabela e 5 asistë, por edhe me 9 humbje topi, ndërsa rusët Voronceviç e Kurbanov shënuan, përkatësisht 15 e 12 pikë. Për Fenerbahçen, më i miri ishte Bobi Dikson (25 pikë e 6 asistë, pastaj Udoh (17 pikë, 11 topa në tabela), Nikola Kaliniç (13 pikë), amerikani Nanëli (11 pikë) e çeku Jan Veseli (10 pikë).
CSKA mbetet e para me 12 fitore e 2 humbje, ndërsa Fenerbahçe e pesta me 9 fitore e 5 humbje. Në ndeshjet e tjera, bie në sy humbja e Realit të Madridit në Beograd me Crvena Zvezdën, 70-82, fitorja e Malagës në fushën e Zhalgirisit 88-80, suksesi i Anadolu Efesit në derbin turk në fushën e Gallatasarajit 86-76, si dhe fitorja në fund e turqve të Darushafakasë ndaj Makabit 86-84.

Sfidanti.al