Kampionët e Europës nuk do të heqin dorë lehtë nga titulli i fituar majin e vjetshëm. Pavarëësisht disa humbjeve të papritura si ndaj Fenerbahçes në Moskë, Darushafakasë në Stamboll apo ndonjë tjetre, CSKA sërish është në vendin e parë në Euroligë. Skuadra ruse ka po aq pikë sa Reali i Madridit, pikaverazh më të mirë, por ndodhet më prapa spanjollëve për shkak të efektit të ndeshjeve direkte. Barazimi me “merengesit” u bë në mënyrë autoritare, madje brenda në Spanjë.
CSKA triumfoi 85-61 me Barcelonën, atë ekip që gjithnjë është cilësuar si pretendent i madh për titullin kontinental. Francezi Nando de Kolo ishte më i miri në parketin e “Palau Blaugranës”, ku ndodheshin diçka më shumë se 5 000 spektatorë. Ai shënoi 21 pikë, ndërsa u mbështet nga amerikanët Higins e Xhekson, por edhe nga rusët Kurbanov, Voronceviç dhe Hriapa. Millosh Teodosiç nuk luajti keq, por serbi nuk ishte në maksimum (9 pikë, 5 topa të humbur).
Reali, nga ana e tij, u mund në Stamboll nga Gallatasaraji, vetëm me 3 pikë diferencë, 84-87, ndërsa dy skuadra ballkanase janë pranë kreut. Olimpiakos i Pireut triumfoi bindshëm në Izrael ndaj Makabit të Tel Avivit, me shifrat 82-71, ndërsa Fenerbahçse arriti gjithashtu një sukses autoritar, 76-67 në Lituani ndaj Zhalgirisit të Kaunasit. Vazhdon të shkëlqejë edhe Crvena Zvezda e Beogradit që mundi Broze Basketin, ndërsa Panathinaikos nuk shpëtoi dot në Turqi ndaj Darushafakasë.
Renditja pas 24 javësh: Real 18 fitore-6 humbje, CSKA 18-6, Olimpiakos 17-7, Fenerbahçe 16-8, Panathinaikos 14-10, Crvena Zvezda 14-10, Anadolu Efes 13-11, Baskonia Vitoria 13-11 etj.
Sfidanti.al