Riberi ndjen atmosferën e vitit 2013 kur Bajerni fitoi gjithçka!

Ai vetë nuk ka mundur të kënaqet plotësisht në tre sezonet e fundit. Frank Riberi luajti ndaj Shalkes vetëm ndeshjen e 19-të të edicionit, ndonëse doli shumë i lumtur nga fusha. Fitorja 3-0 u arrit kryesisht me lojën e shkëlqyer të 33-vjeçarit francez, i cili shpreson të rikthehet edhe një herë në gjendjen fizike që ka pasur deri në 2014. Një vit më parë ai luajti vetëm 22 takime, në 2014-2015 numri ishte 23, ndërsa tani kur kemi arritur në mars mezi ka mbërritur në 19 ndeshje dhe me vetëm 2 gola të shënuar.

Riberi, gjithsesi, ndihet mirë. “Këtë sezon po ndjej atmosferën që patëm në ekip në vitin 2013 kur fituam gjithçka, – tha ai për gazetën gjermane “Bild”, – skuadra po luan shumë mirë, ne po shënojmë shumë gola, dhe Robert Levandovski është i papërmbajtshëm. Për më tepër, unë u riktheva pas 4 javë mungese për shkak dëmtimi dhe ndihem shumë mirë fizikisht”. Në 2013, Bajerni i trajnerit Jup Hajnkes fitoi tripletën, pra Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve, dhe këtë herë me Ançelotin është sërish në ndjekje të gjithçkaje. Praktikisht në çerekfinale të Championsit, në krye të Bundesligës dhe në gjysmëfinalen e Kupës.

Sfidanti.al