Eurobasket, ikën Greqia e Adetokumbos, gjysmëfinalja është Spanjë-Gjermani

Pas Serbisë, që ishte favorite për të fituar kampionatin, ja ku eliminohet një tjetër skuadër e madhe. Greqia e Janis Adetokumbos u mund bindshëm nga Gjermania, që u tregua më shumë kolektiv sesa superylli i helenëve, duke ia dalë madje me rezultat serioz, 107-96. Dy ditë më parë u largua lojtari më i mirë i sezonit të rregullt në NBA në dy sezonet e fundit, Nikola Jokiç i Serbisë, tani edhe lojtari më i mirë i Finaleve të Mëdha të NBA-së vitin e kaluar, Adetokumbo, njeriu që fitoi edhe titullin me Miluokin. Ja pra që basketbolli është lojë skuadre, dhe Italia e Gjermania u treguan të tilla në momentin e duhur. Në Arenën “Mercedes Benc” të Berlinit, gjermanët u mbështetën nga 20 000 spektatorë, dhe Adetokumbo nuk mjaftoi edhe pse luajti mirë. Madje, kur duheshin edhe 5 minuta deri në fund, gjigandi i Greqisë u përjashtua për sjellje josportive. Më pas, u përjashtua edhe ylli i Gjermanisë, Denis Shrëder. Në fund, Adetokumbo shënoi 31 pikë, kapi 7 topa në tabela, shërbeu 8 asistë dhe vodhi 3 topa, por edhe e humbi topin 5 herë. Tek gjermanët më i miri ishte Shrëder me 26 pikë, 3 topa në tabela e 8 asistë. Në çerekfinalen tjetër, Spanja mundi Finlandën 100-90 me 27 pikë të Uilli Hernangomezit, e 28 të Lauri Markanenit.

Çerekfinalet: Spanjë-Finlandë 100-90, Gjermani-Greqi 107-96; Sot: Francë-Itali, Slloveni-Poloni; Gjysmëfinalet: Spanjë-Gjermani.

Sfidanti.al