Reparti ofensiv ka qenë krenaria e ekipit. Edhe pse kombëtarja shqiptare nuk mund të mburret se fiton shumë ndeshjes, sërish me lojtarë të tillë si Armando Broja, Myrto Uzuni, Sokol Cikalleshi, Rej Manaj apo Xhakomo Vrioni duket se problemi i golit ishte i zgjidhur. Sot nuk është kështu. Broja, ylli që shkëlqeu më shumë në 12 muajt e fundit, nuk është më tek Sauthemptoni ku ishte thuajse 100 për qind titullar, por tek Çelsi. Me Blutë e Londrës ka problem konkurrencën dhe kaosin e stolit, ndërsa ka luajtur vetëm pak minuta të ofruara nga ish-trajneri Tomas Tuhel.
Rej Manaj, që sezonin e kaluar ishte mjaft i dalluar në Serinë A me Specian, nuk po ka aspak fat. Pas vështirësive të përshtatjes në kategorinë e dytë angleze me Uatfordin, sulmuesi kuqezi pësoi dëmtim pikërisht në momentin më të mirë dhe nuk do të jetë në Ligën e Kombeve tani në shtator. Xhakomo Vrioni po ashtu është në pozicion të vështirë, ndërsa po luan fare pak në SHBA ku u transferua këtë verë. Është larg, për momentin, Vrioni që shkëlqeu në Bundesligën austriake duke fituar Këpucën e Artë.
Edhe Sokol Cikalleshi, lojtari më konstant i kombëtares po provon aklimativimin në Arabinë Saudite pas largimit nga Turqia, në një nivel kampionati më të ulët. Shpresa e vetme e vërtetë mbetet Myrto Uzuni, pasi sulmuesi beratas e ka gjetur veten në Ligën e dytë të Spanjës. Futbollisti shqiptar ka shënuar 4 gola deri tani për Granadën duke qenë në formë të shkëlqyer.
Sfidanti.al