Është apo jo Çmimi i Madh i Kinës, gara numër 1 000 në Formula 1?!

Drejtuesit e sportit më të shpejtë të botës nuk kanë dyshim dhe po bëhen gati të festojnë. Këtë fundjavë, sipas tyre, Formula 1 mbush 1 000 gara në historinë e saj, histori që nisi në vitin 1950. Gjithsesi, janë të shumtë që bëjnë pyetjen: A është vërtet gara e Shangait, me numrin 1 000 në histori?

“Është fakt që disa nga 999 garat e deritanishme janë të dyshimta nëse mund të quhen Grand Prix, dhe shumë nga fituesit e tyre kurrë nuk kanë garuar me një makinë të Formula 1”, – shkruan adresa në internet “grandprix247”, që i referohet agjencisë Rojter. Nga 1950 deri në 1960, 11 gara të Indianapolis 500 u përfshinë në Formula 1, ndonëse shumë pak pilotë të F1 e kaluan Atlantikun për të konkurruar në SHBA. Shumica dërrmuese ishin pilotë amerikanë që luftuan me makinat e tyre dhe sipas rregullave të tyre.

Bill Vukoviç ishte piloti amerikan që doli i 7-ti në renditjen e Formula 1 në 1953, por duke marrë pjesë vetëm në garën Indi 500, siç bëri edhe në 1954 kur doli i gjashti. Vukoviçi kurrë nuk u ul në një makinë të vërtetë të Formula 1, edhe pse librat e historisë së Botërorit shkruajnë se ai ka 2 fitore, 1 pole, tre xhiro të shpejta në 5 gara gjithsej, që të gjitha në Indiana. Llogaria është që në 26 gara gjithsej, të përfshira në statistikat zyrtare, nuk pati fare makina të Formula 1. Gjithsesi, drejtuesit do të festojnë garën numër 1 000 në Çmimin e Madh të Kinës këtë të diel.

Sfidanti.al