“Ekspresi” Gjokoviç kalon Federerin, në finale të Australian Openit!

Bilancin e kishte pozitiv dhe në sipërfaqen prej çimentoje të Arenës së Melburnit, si gjithnjë, ishte favorit. Novak Gjokoviç i respektoi të gjitha këto dhe arriti në finalen e Australian Openit, pas një fitoreje realisht të lehtë ndaj Rozher Federerit. U mbyll 3-0 në favor të serbit, kampion në fuqi, dhe Nole arriti finalen e 8-të në kontinentin australian. Nëse fiton trofeun, do të kalojë Rafael Nadalin si numri 1 në botë në tenisin e meshkujve, dhe do të fitojë Grand Slemin numër 17, vetëm 3 më pak se rekordi që mbahet pikërisht nga Federer.

Vetëm seti i parë ishte i fortë, dhe përfundoi me lojë vendimtare (taj brejk – tie break). Gjokoviç ishte si gjithnjë shumë i fortë në këtë lojë vendimtare, duke e marrë lehtë 7-1. Setet e tjerë ishin 6-4 e 6-3, ndërsa e gjithë gjysmëfinalja klasike zgjati 2 orë e 14 minuta, shumë pak për standardin normal mes kësaj dysheje. Federer e nisi shumë mirë ndeshjen duke kryesuar 5-1 në setin e parë, por nuk e mbajti dot këtë ritëm. Mosha 38-vjeçare ndikoi, por ndoshta edhe ndonjë problem fizik. Gjokoviç do të jetë favorit në finale, pasi i ka fituar të 7 ndeshjet fundore të luajtura në Arenën “Red Lejvër”.

Sfidanti.al