Edhe Majk Tajson është habitur nga fitorja e Entoni Xhoshuas!

Nuk është e lehtë të shtanget një gjigand i boksit, qoftë edhe “i keq”. Përkundër famës aspak të mirë, Majk Tajson ka qenë një dominues i madh i ringut në peshat e rënda, por edhe ai di të thotë fjalë të larta lavdëruese për të tjerët. Njeriu që e ka habitur “Majkun e Hekurt” është Entoni Xhoshua. “Unë nuk kisha besim tek Xhoshua, – tha Tajsoni duke folur për ESPN-në, – më dukej thjesht një djalosh i fryrë anglez, dhe isha i bindur se Kliçko do të fitonte, por gjithçka ndodhi ndryshe”.

“Kur një kampion i ri i peshave të rënda e fiton titullin në mënyrë aq eksplozive sa ai, kjo do të thotë se gjithë bota ka ndryshuar, – vazhdoi amerikani që e di se çdo të thotë të ndryshosh botën e boksit, – ishte një ndeshje e madhe. Entoni luftoi shumë mirë. Kliçko është 41 vjeç dhe askush nuk kishte luftuar me të në këtë mënyrë, më përpara”.

Tajson vlerëson tek Xhoshua pikërisht diçka që e kishte edhe vetë, karakterin e fortë. “Më e rëndësishmja ishte që Xhoshua tregoi zemër, – komentoi ish-kampioni, – ai u rrëzua nga një grusht i madh i Kliçkos, por nuk u dorëzua, ai u ngrit përsëri në këmbë. Kjo do të thotë karakter i hekurt. Ai nuk di të dorëzohet”.

Ish-kampioni parashikon se Xhoshua mund të dominojë për 10 vjet, dhe shtoi se tashmë i erdhi fundit fitimeve përrallore të “njerëzve të vegjël” si Mejuedhër, pasi tani të gjithë do të paguajnë para për të parë ndeshjet e peshave të rënda.

Sfidanti.altajson