Publiku në Arenë dhe miliona teleshikues shijuan një shfaqje që nuk jepet përditë. Edhe pse basketbolli amerikan do të thotë spektakël, sërish dueli mes Denverit dhe Portlendit arriti përmasa epike. U deshën dy kohë shtesë për të përcaktuar fituesin, Denverin që ia doli 147-140, por ylli që shkëlqeu më fort ishte i miqve, Damien Lilard. Ai ishte me të vërtetë i jashtëzakonshëm dhe i pandalshëm.
Lilard shënoi 55 pikë, duke shtuar edhe 7 topa në tabela, 7 asistë, 1 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh. Ylli i Portlendit e kishte dorën thuajse të pagabueshme, duke realizuar 70 për qind të gjuajtjeve, edhe nëse ishin për 2 apo për tri pikë. Me 12 realizime nga distanca ai ndikoi direkt në rezultat duke mbajtur në këmbë skuadrën përballë një kundërshtari tepër të fortë. Me 55 pikë ai vendosi një rekord të klubit në plej of, ndërsa me 12 kosha tripikësh ai vendosi një rekord të NBA-së, duke kaluar ish-rekordin e kapitenit të Golden Stejtit, Klej Tompson me 11.
Kjo paraqitje e madhe bëri që ndeshja në Denver të kishte dy kohë shtesë, pra të zgjaste plot 58 minuta, dhe në fund fituan vendasit. Nikola Jokiç e bëri detyrën, madje shumë mirë, edhe pse Lilard ishte në një nivel tjetër. Ylli nga Serbia shënoi 38 pikë, kapi 11 topa në tabela e shërbeu 9 asistë, duke qenë fare pranë një tjetër tripëll dabëlli. Jo më kot ai është favoriti për të fituar çmimin e lojtarit të sezonit në NBA. Në krah të tij ishin edhe Morris me 28 pikë, Portet me 26 pikë e 12 topa në tabela, Gordon me 14 pikë e 10 topa në tabela si dhe Rivers me 18 pikë e 7 asistë.
Kjo lojë skuadre doli më e fortë sesa Lilardi, ndonëse tek Portlendi luftuan fort edhe basketbollistët e tjerë, Kovington, Mekkallëm, Nurkiç apo Pauell. Neshja e radhës luhet në Portlend, dhe vendasve do t’u duhet patjetër fitorja.
Sfidanti.al