Dueli i legjendave, sa rekorde të Shumit thyen Hamiltoni?!

Mikael Shumaher cilësohet gjerësisht si piloti më i madh i të gjitha kohëve në Formula 1. Ai mban rekorde të shumtë në këtë sport të shpejtësisë, por kohët e fundit ekziston një pretendent i madh për t’ia kaluar, Ljuis Hamilton. Anglezi i Mercedesit ka arritur të thyejë apo të barazojë disa rekorde të Shumit, ndërsa ka mundësi që në dy vjet të mbërrijë disa të tjerë. Gazeta “Bild” bën krahasimin e shifrave të dy legjendave dhe parashikon.

Hamilton e ka thyer rekordin e gjermanit për “pole position”, duke pasur 87 ndaj 68 të tij. Po ashtu, ka barazuar rekordin e “pole position”-eve më të shumta në një garë të vetme, Shumaher ka 8 vende të para në Japoni, dhe anglezi ka 8 në Australi. Hamilton është shumë pranë rekordit të fitoreve më të shumta në një garë të vetme, pasi Shumi ka 8 në Francë, dhe Ljuisi ka 7 në Kanada.

Pritet që vitin tjetër, Hamilton të thyejë rekordin total të fitoreve në Formula 1, duke pasur 80 aktualisht, ndaj 91 të ish-pilotit të Benetonit dhe të Ferrarit (si edhe të Mercededit). Përsa i përket titujve, anglezi 34-vjeçar ka 5 të tillë, por është shumë pranë titullit të gjashtë, ndërsa Shumaher ka 7. Ndoshta barazimi do të vijë në vitin 2020? Shumë e mundshme duket thyerja e rekordit të gjermanit për numrin e vendeve në podium, pasi Shumi ka 155 dhe Hamiltoni 143.

Sfidanti.al