Kur ne mendojmë sot për NBA-së, emrat që na vijnë të parët në mendje janë ata të Lebron Xhejmsit, Kevin Durantit, Rasëll Uestbrukut, Stefën Kërrit apo Xhejms Hardenit. Dikush duhet të na thotë: Mendohuni edhe pak! Pas kësaj, dhe pasi të lexojmë rezultatet e ndeshjeve të fundit, ne nuk do të gabojmë, por do të veçojmë edhe Drejmond Grinin. Ky lojtar realizoi diçka që askush nuk e kishte bërë në historinë e basketbollit amerikan, që nga fillimi i NBA-së.
Edhe pse shënoi vetëm 4 pikë (për to mendojnë të tjerët), Grin kontribuoi në një mënyrë krejt të veçantë në fitoren e parë të sezonit të Golden Stejtit ndaj Memfisit. Ai realizoi një tripëll-dabëll, pa i hyrë në punë pikët. Kapi 12 topa në tabela, shërbeu 10 asistë dhe i vodhi 10 topa kundërshtarëve. E padëgjuar dhe e paparë ndonjëherë, madje duke i shtuar edhe 5 bllokime të gjuajtjeve të kundërshtarëve. Nëse ka një “numër 1” në mbrojtje, ky është Drejmond Grin.
Golden Stejti fitoi me shifrat 122-107, dhe shënuesi më i mirë ishte Klej Tompson me 36 pikë. Durant shënoi 24, Stefën Kërri shtoi 18, ndërsa Golden Stejti përmirësoi rekordin e sezonit në 45 fitore e 8 humbje, duke qenë skuadra më e mirë në NBA.