Paris SG i jep shpresë trajnerit Emeri për duelin ndaj Barçës

Unai Emeri mund ta quajë veten një trajner të kënaqur, edhe pse punët nuk i shkojnë vërtet “fjollë”. Fitorja e fundit e Paris SG, 3-0 në ligën franceze në fushën e Bordosë, i dha edhe më shumë shpresë se gjërat janë nisur në drejtimin e duhur. Dy golat e Edinson Kavanit dhe një i Angel Di Marisë e zgjidhën lehtë ndeshjen në një stadium dikur të vështirë edhe për klube të mëdhenj si Barcelona, Milani apo Bajerni.

PSG u barazua përkohësisht me pikë me Monakon e vendit të parë, edhe pse “princërit” kanë ende për ta luajtur ndeshjen e tyre të kësaj jave. Gjithsesi, viti 2017 ka nisur mirë dhe po vazhdon po kështu, diçka thelbësore sidomos përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës javën që vjen. E vetmja notë negative e fazës së dytë ka qenë barazimi shtëpiak ndaj Monakos, që ia dëmtoi shanset për titull.

Trajneri spanjoll vazhdimisht ka refuzuar të flasë për ndeshjen ndaj Barçës, duke deklaruar se do t’i marrë takimet një nga një, por tashmë kjo përballje erdhi. Çfarë do të bëjë Parisi i tij në Ditën e të Dashuruarve (14 shkurt?). Emeri ka besim, ndërsa shpreson që të ketë në formën e duhur edhe Marko Verratin e kthyer nga dëmtimi. Kavani është në formë, dhe po ashtu Di Maria, i nxitur nga konkurrenca e blerjes më të re, gjermanit Julian Draksler.