Ka qenë një periudhë shumë e vështirë për të dhe për skuadrën e tij. Luka Donçiç nuk është më në një “muaj mjalti” në NBA, dhe sezoni i tretë në basketbollin amerikan është tepër i ashpër. Kritikat kanë qenë jo edhe aq të pakta (edhe pse më shumë kanë qenë lavdërime), si dhe thumbimet se “duhet të kthehet në formë”. Ai e bëri këtë duke iu afruar një tripëll dabëlli në fitoren që më në fund Dallasi e arriti në shtëpi, duke mundur Detroitin. Rezultati ishte 127-117 dhe Donçiç shënoi 30 pikë, kapi 10 topa në tabela e shërbeu 9 asistë, duke qenë vetëm 1 asist larg tripëll dabëllit. Slloveni bëri edhe 2 vjedhje topi, dhe e humbi topin vetëm 3 herë, ndonëse pati edhe disa gabime në gjuajtje (10-22 për dy, 4-11 për tre, 6-10 gjuajtjet e lira). Kristaps Porzingis pati 19 pikë, 7 topa në tabela, 4 asistë e 3 vjedhje topi duke ndihmuar ekipin. “Në pjesën e dytë bëmë atë që duhej ndaj edhe fituam, – tha trajneri vendas, Rik Karlajsëll, – Detroiti është konkurrent shumë i fortë dhe agresiv”. Donçiç ka 17 ndeshje pa tripëll dabëll, periudha më e gjatë që nga 44 ndeshjet fillestare si debutues. Dallasi është në vendin e 7-të në Perëndim me 31 fitore e 26 humbje.
Sfidanti.al