Nuk dihet sesa mund të vlejë kjo fitore, ndërsa skuadra nga Kalifornia pret kthimin e Lebron Xhejmsit të dëmtuar. Në plej of do të jenë Lejkërsa të tjerë, por për momentin nuk janë aq lart. Dallasi fitoi duelin direkt 108-93, udhëhequr nga Luka Donçiç, ndërsa Entoni Dejvis ishte sërish dobët në ndeshjen e dytë pas dëmtimit. Ekipi nga Los Anxhelosi kryesoi deri me 17 pikë, por në fund humbi. Slloveni shënoi 18 pikë, jo edhe aq shumë, por kapi 8 topa në tabela e sidomos shërbeu 13 asistë. Ai nuk ishte shumë mirë në gjuajtje (6-15 nga loja), ndërsa humbi 6 herë topin. Gjithsesi, ishte shtylla e ekipit në organizimin e lojës. Dejvis pati 17 pikë, por vetëm 3 topa në tabela e 3 asistë. Meklemor shënoi 20 pikë për Lejkërsat, ndërsa Dramond kapi 12 topa në tabela, por shënoi vetëm 6 pikë. Për vendasit mungoi Kristaps Porzingis i dëmtuar. Dallasi është në vend të 6-të në Konferencën Perëndimore me 33 fitore e 26 humbje, ndërsa Lejkërsat janë në vend të 5-të me 35 fitore e 25 humbje.
Sfidanti.al