A mundet që njeriu të ndihet keq me ndërgjegjen pasi shkëlqen dhe është më i miri lojtar në një ndeshje basketbolli? Kështu i ndodhi Luka Donçiçit, ndërsa 21-vjeçari nga Sllovenia bëri autokritikë pasi Dallasi u mund në fushën e Çikagos, 101-117. Donçiç realizoi tripëll dabëll me 36 pikë, 16 topa në tabela e 15 asistë, por sërish u ndje i pakënaqur.
“Unë kam faj për këtë humbje, – deklaroi ai pas ndeshjes, – disa herë u tregova egoist, ishin disa gjëra që nuk duhej t’i bëja ashtu. Në pjesën e parë shënova 30 pikë, por pas pushimit nuk isha vetvetja. Mora përsipër gjuajtje që nuk duhej t’i bëja. Duhet të përmirësohemi që të gjithë si skuadër, sidomos në mbrojtje duhet të jemi më energjikë”.
Dallasi kishte pesë lojtarë mangut për shkak të koronavirusit, ndërsa ata që ishin në parket nuk e ndihmuan edhe aq shumë talentin e tyre të ri. Pra, nuk duket normale që Donçiç ndihet fajtor, përveçse në kuptimin që një lojtar i tillë nuk dëshiron të humbasë dhe nuk kënaqet kurrë me veten.
Sfidanti.al