Donçiç fiton duelin me Lebron Xhejmsin, Dallasi mund Lejkërsat!

Skuadra nga Kalifornia nuk është se ka ndonjë shpresë të madhe këtë vit për të arritur ndonjë sukses të spikatur. Pavarësisht emrit legjendar të Lebron Xhejmsit, Lejkërsat duken tepër të vjetër dhe pa mbrojtjen e duhur për t’ia dalë që të imponohen në NBA, dhe kështu ndodhi edhe në fushën e Dallasit. Maveriksat fituan pa shumë problem 124-115 duke kryesuar gjatë gjithë kohës me 15-20 pikë diferencë, e duke e bërë të pavlefshme paraqitjen shumë të mirë të Lebronit. “Mbreti” shënoi 38 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 5 asistë, ndërsa përballë tij shkëlqeu Luka Donçiç. Slloveni që mori një vlerësim shumë më të lartë (24 ndaj 2) pati 32 pikë, 9 topa në tabela e 9 asistë si dhe 2 vjedhje topi. Ai u vlerësua për lojën në sulm e në mbrojtje, dhe që ndihmoi shokët që të shënonin, sidomos Kristian Udin me 30 pikë dhe Hardëuejn me 26. Dallasi është në vend të 8-të në Perëndim (18-16), ndërsa Lejkërsat në vend të 13-të (të tretin nga fundi) me vetëm 13 fitore e 20 humbje.

Sfidanti.al