Donçiç fiton duelin e yjeve, por Leonard dhe Klipers kualifikohen!

Një “stuhi e natyrës” nuk qe e mjaftueshme në një seri tepër të veçantë në basketbollin amerikan. Luka Donçiç shënoi 46 pikë, por Los Anxhelos Klipers fitoi ndeshjen ndaj Dallas Maveriksave me shifrat 126-111 duke u kualifikuar për në raundin e dytë të plej ofit. Donçiç pati edhe 7 topa në tabela e 14 asistë, me një përqindje shumë të mirë në gjuajtje (17-30), por edhe me shumë humbje topi. Ishte hera e parë në historinë e plej ofit që skuadra vendase nuk fitoi dot asnjë nga 6 ndeshjet e para, por Klipersat e bënë në fund. Skuadra nga Kalifornia u bë e pesta në histori që kapërcen humbjen e 2 ndeshjeve të para, ndërsa Dallasi nuk kualifikohet dot në plej of që nga viti 2011 kur doli kampion.

Kauai Leonard pati 28 pikë, 10 topa në tabela, 9 asistë, 4 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje duke luftuar shumë në mbrojtje. Ai pati 225 pikë gjithsej në seri, me mesatare 32.1 pikë për ndeshje, dhe me mesatare 60 për qind në gjuajtje, i katërti lojtar i NBA-së që ia del, ndërsa i fundit kishte qenë Shakill O’Nill në vitin 2000.

Donçiç ishte edhe më lart, por Dallasi duhet të forcohet. Ylli 21-vjeçar nga Sllovenia shënoi 250 pikë, kapi 55 topa në tabela e shërbeu 72 asistë në 7 ndeshje. Mesatarja e tij ishte tepër e lartë, 35.7 pikë për ndeshje, 7.9 topa në tabela për ndeshje, 10.3 asistë për ndeshje. Diçka që as Majkëll Xhordani dhe as Lebron Xhejmsi në formën më të mirë nuk e kanë bërë.

Sfidanti.al