Nuk është se ta mbush shumë syrin, pasi nuk ka fituar asnjë Grand Slem. Dominim Tiem (saktësisht Tim) nga Austria do të jetë kundërshtari i Rafael Nadalit në finalen Rolan Garosit, dhe mund të quhet një nga të paktët që mund ta thyejë “Furinë spanjolle”. Tenisti 24-vjeçar ka fituar 10 turne ATP në karrierë, dhe ia ka dalë që ta thyejë disa herë Nadalin.
Bilanci mes tyre, në 7 ndeshje, është 4-3 për spanjollin e famshëm, i cili ka provuar tri herë disfatën ndaj rivalit më të ri në moshë, në 2016 në Argjentinë, në 2017 në Romë dhe në 2018 në Madrid. Tim nuk pati ndonjë rrugë tepër të vështirë në Paris, pasi mungonte Federer, ndërsa Gjokoviç u mund nga italiani Çekinato, kundërshtar që austriaku e mundi në gjysmëfinale 3-0 (7-5, 7-6, 6-1).
Natyrisht, Nadali do të jetë favorit absolut të dielën, si 10 herë kampion i Rolan Garosit, si askush tjetër në histori, ndërsa do të kërkojë Çmimin e Madh të 17-të në karrierë. Tridhjetedyvjeçari theu lehtë në gjysmëfinale argjentinasin e fortë, Del Potro 3-0 (6-4, 6-1, 6-2).
Sfidanti.al