Mund të kishte dashur një përfundim tjetër në garën për titull, por edhe kështu duhet të jetë i lumtur. Ljuis Hamilton përjetoi një ditë jubilare në Çmimin e Madh të Rusisë në Formula 1 pasi jo vetëm fitoi garën, por edhe sepse arriti triumfin e 100-të jubilar në karrierë. Një udhëtim i gjatë i nisur në 10 qershor 2007, pra më shumë se 14 vjet më parë, dhe që ende vazhdon, ndërsa kampioni i botës në fuqi ka fituar 7 tituj në F1, dhe synon të thyejë rekordin që e mban bashkë me Mikael Shumaherin, për të fituar të 8-in.
Në Soçi ishte tepër emocionuese, ndërsa Hamilton ia shtoi telashet vetes pasi gaboi gjatë provave zyrtare. Nuk pati fat në nisje dhe zbriti në vendin e 6-të kur nuk mundi të bënte parakalime sepse pati përpara Meklarenin e Riçardos. Gjithsesi, pasi ndërroi gomat ishte shumë i shpejtë, ndërsa rivali për titull, Maks Verstapen mbeti i bllokuar në mes të karvanit. Hamilton mund të kishte përfunduar i dyti, pas Lando Norrisit të Meklarenit, por reshjet e shiut ndryshuan gjithçka. Edhe pse me vonesë, ai shkoi për në ndërruar gomat dhe mundi ta parakalonte Norrisin.
Të njëjtën gjë bëri edhe Verstapeni që mundi të ngjitej deri në vendin e dytë, duke zvogëluar dëmet që mund të pësonte, pasi pati dënim dhe e nisi garën nga vendi i fundit. Hamilton kryeson Botërorin me 246.5 pikë, vetëm 2 pikë më shumë sesa Verstapeni, ndërsa pilotët e tjerë janë shumë prapa. Për skuadrat, Mercedes mban vendin e parë me 33 pikë më shumë sesa Red Bulli.
Sfidanti.al