Dirku dhe Luka, Nju Jorku brohoret yjet europianë të NBA-së!

Brohoritjet ishin të gjitha për të, edhe pse nga tifozë kundërshtarë. Kultura sportive jo më kot është e spikatur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe këtë e tregoi publiku i Nju Jorkut me Dirk Novickin. Legjenda gjermane e Dallasit luajti, ndoshta, ndeshjen e tij të fundit në Arenën e famshme “Medison Skuer Gardën”, dhe rreth 20 000 spektatorë e falenderuan, duke i uruar suksese të mëtejshme.

Nuk u mërzitën, mesa u kuptua, edhe pse 40-vjeçari ishte një nga shkaktarët që Nju Jorku u mund nga Dallasi, me shifrat dëshpëruese 90-114. Novicki shënoi 14 pikë, madje me një saktësi tepër të madhe, duke qenë edhe autor i dy koshave tripikësh. Nuk është e qartë nëse Dallasi do t’i japë një tjetër kontratë për sezonin e ardhshëm, por çfarëdo që të ndodhë ai do të largohet si lideri i skuadrës që fitoi titullin e NBA-së në 2011.

Nëse Dirku është e kaluara, Luka Donçiç është e sotmja, dhe e ardhmja. Adoleshenti slloven nuk ishte në nivelin e ndeshjes së kaluar ndaj Torontos, por sërish nuk zhgënjeu. Shënoi 16 pikë, kapi 8 topa në tabela dhe shërbeu 5 pasime për kosh. Për një 19-vjeçar paraqitja e tij gjatë gjithë sezonit mund të quhet thjesht e mrekullueshme.

Donçiç e Novicki, gjithsesi, patën mjaft ndihmë, ku u veçua Denis Smith me disa shpërthime të papritura, dhe me një tripëll dabëll, 13 pikë, 10 topa në tabela e 15 asistë. Harrison Barns shtoi 19 pikë dhe Uesli Metjus 17, ndërsa Dallasi mbetet sërish jashtë zonës së plej ofit, i 12-ti në Perëndim.

Sfidanti.al