Nuk mund ta ligështonte as një humbje pas katër kohësh shtesë, pra pas plot 68 minutash në parket. Denver Nagets ka në radhët e saj yje me karakter ndaj edhe reagoi, ashtu siç ka bërë gjatë gjithë këtij sezoni në NBA. Fitoi ndeshjen e katërt të raundit të dytë të plej ofit, në fushën e Portlendit, duke hyrë në fushë i vendosur dhe duke kryesuar thuajse nga fillimi deri në fund.
Në një epokë të europianizimit (të pjesshëm) të basketbollit amerikan, edhe Denveri u udhëhoq nga një yll i Europës, saktësisht i Ballkanit, lojtari qendër nga Serbia, Nikola Jokiç. Shtatlarti 2.13-metrosh shënoi 21 pikë, kapi 12 topa në tabela dhe shërbeu 11 asistë, duke realizuar specialitetin e tij, tripëll dabëllin, specialitet ku do të bëhet i dëgjuar në NBA.
Denveri fitoi 116-112 dhe barazoi shifrat e gjysmëfinales së Konferencës Perëndimore, me nga dy fitore secila skuadër. Tashmë, ekipi nga Kolorado rifitoi faktorin fushë, me ndeshjen e pestë që do të luhet në Denver, të gjashtën në Portlend, dhe të shtatën nëse do të jetë e nevojshme, sërish në Denver.
Xhamal Marrej shënoi 34 pikë për miqtë, duke qenë realizuesi më i mirë i ndeshjes, ndërsa Millsap pati 21 pikë. Tek Portlendi, Mekkallëm shënoi 29 pikë, ndërsa Damien Lilard pati 28 pikë, 3 topa në tabela, 7 asistë dhe 2 vjedhje topi. “Nuk bëhej fjalë që të dorëzoheshim, – tha Jokiç pas ndeshjes, – ne kemi shumë lojtarë me karakter në ekip, që nuk duan të humbasin. Nuk donim të justifikoheshim, se humbëm ngaqë u lodhëm në ndeshjen e kaluar”.
Sfidanti.al