Davidi mund Goliatin: Vardar Shkup – Barcelona 26-25!

Një dramë e vërtetë ndodhi, dje, në “Final Four” (Katërshja finaliste) të Ligës së Kampioneve të Evropës në hendbollin për meshkuj. Vardari “i vogël” i Shkupit, në mënyrë sensacionale, mundi 26-25, në gjysmëfinale, Barcelonën “e madhe”, duke dalë në finale të këtij konkurrimi elitar evropian, ku do të luajë sot, të dielën, në orën 18:00, në “Lankses Arena” të Këlnit, me ekipin francez PSZH. Hendbollistët e Vardarit luajtën fort, gjatë të gjithë 60 minutave, duke e kontrolluar ndeshjen, kështu që fitorja, në fund të ndeshjes, ishte shpërblimi i merituar i punës së tyre të palodhur deri në sekondën e fundit të ndeshjes që, me të vërtetë, ishte dramatike dhe elektrizuese.

17 sekonda para përfundimit të të gjithë ndeshjes, rezultati ishte 25-25, ndërsa për barcelonasit barazoi, pikërisht, maqedonasi Kiril Lazarov që luan me ekipin spanjoll. Sidoqoftë, topin e fundit në dorë e pati Vardari që organizoi edhe sulmin e fundit dhe e realizoi atë. Më saktë, topin në dorë e mori Luka Cindriç që shënoi edhe golin e 26-të, atë të fitores, duke ngritur në këmbë tifozët e Vardarit të Shkupit dhe anekënd Maqedonisë.

Sfidanti.al