D1 Abu Dabi, Botas fiton pole positionin e fundit të 2017

Është Valteri Botas fituesi i pole positionit të fundit për vitin 2017. Piloti finlandez i Mercedes ishte më i shpejti në provat zyrtare të zhvilluara në pistën e Jas Marinës në Çmimin e Madh të Abu Dabit duke lënë pas kampionin e botës Ljuis Hamilton, me britanikun që gaboi pak në  castet e fundit të këtyre provave duke mos ia dalë mbanë të kalojë shokun e tij të skuadrës.

Në vështirësi u duk Ferrari në këto prova zyrtare me Kokëkuqen italiane që pati rezultatin më të mirë vendin e tretë të Sebastian fetel, ndërkohë që Kimi Raikonen në sekondat e fundit nuk mundi t’i rezistojë dot sulmit të Riçardos duke u renditur në vendin e pestë menjëherë pas australianit.

Përkrah finlandezit të Ferrarit në vijën e dytë të nisjes do të jetë piloti tjetër i Red Bull, Maks Vershtapen që shënoi kohën e 6 më të mirë. Në vijën e katërt të startit të garës të së dielës do të jenë Hulkenberg me Renault dhe Serhio Perez me Force India, ndërkohë që dhjetëshen më të mirë e mbyllin pikërisht Okon i Force Indias dhe Massa me Williams.

sfidanti.al