CSKA, Reali dhe Olimpiakosi mbeten në krye në Euroligë!

Patën ndeshje jo të pamundura, por sërish është tepër e rëndësishme t’i fitosh edhe ato. CSKA e Moskës, Reali i Madridit dhe Olimpiakosi i Pireut vazhduan marshimin e tyre drejt raundit me elemimin direkt në Euroligën e basketbollit. CSKA, kampione në fuqi e kontinentit ia doli 85-69 ndaj Gallatasarajit të Stambollit, në ndeshjen e luajtur në Rusi. Moskovitët nuk e nisën mirë, humbën periodën e parë 13-17, por pastaj shpërthyen. De Kolo shënoi 22 pikë, Hajns 13 dhe Higins 12. Për turqit, Vladimir Micov me 18 pikë dhe Koksal Goksenin me 13.

Reali pati të ftuar në Madrid, Crvena Zvezdën e Beogradit. Skuadra serbe është një nga të papriturat më të bukura të sezonit, por ndaj një skuadre të ndërtuar për të fituar gjithçka, me shumë përvojë dhe me publikun me vete, e pati të vështirë. Madrilenët fituan 98-68 pa e hequr asnjëherë “këmbën nga gazi”. Plot gjashtë lojtarë shënuan me dy shifra (tre prej tyre nga 11, dhe tre nga 12 pikë). Randolf, Maciulis, Ajon, Hanter, Jul dhe Tejlor ishin më të suksesshëm, ndërsa Jul dha edhe 10 asistë, si dhe Hanter kapi 8 topa në tabela. Për serbët, i vetmi që mund të lavdërohej ishte Simonoviç me 13 pikë.

Olimpiakosi e pati pak më të vështirë në fushën e tij, në Pallatin e Sportit “Paqja dhe Miqësia”, ku ishin të pranishëm “vetëm” 7 500 spektatorë. Grekët triumfuan 81-73 ndaj turqve të Darushafakasë, dhe më të mirët ishin të huajt Birç, Grin dhe Lojeski. Turqit u udhëhoqën po nga të huajt, madje Uonëmejkër shënoi 23 pikë dhe Klajbërn shtoi 20, por lojtarët e tjerë nuk ishin kaq mirë.

Renditja pas javës së 25-të: Real Madrid (kualifikuar për në çerekfinale) 19 fitore-6 humbje, CSKA Moskë (kualifikuar për në çerekfinale) 19-6, Olimpiakos 18-7, Fenerbahçe 16-9, Baskonia Vitoria Gasteiz 14-11, Panathinaikos 14-11, Crvena Zvezda 14-11, Anadolu Efes 13-12.

Sfidanti.al