Ç’karakter Spanja e koshit, mund ekipin më të mirë të Botërorit, Serbinë!

Një skuadër që hyn në një turne për ta fituar, bëhet gjithnjë e më e fortë, sa më shumë arrin faza përfundimtare. Edhe Spanja e trajnerit Serxho Skariolo e tregoi pikërisht këtë anë të karakterit të kampionëve, duke triumfuar në ndeshjen e parashikuar si më të vështirën e Kupës së Botës në basketboll për meshkuj, në atë ndaj Serbisë. Përfundimi ishte 81-69, në një nga paraqitjet më të mira të spanjollëve vitet e fundit, që kujtoi “Furitë e Kuqe” të dikurshme që dilnin kampionë të Europës, dhe diskutonin seriozisht finalet olimpike ndaj SHBA-së.

Me këtë sukses, Spanja shmang SHBA-në nga rruga drejt finales, ndërsa Serbia sipas të gjitha gjasave mund të ndeshet me amerikanët në gjysmëfinale. Iberikët ishin paksa më mirë në gjuajtjet për dy pikë, por sidomos më lart në gjuajtjet për 3, si dhe në lojën kolektive, duke dhënë 21 asiste ndaj 9 të serbëve. Një ndihmë të madhe, atyre iu dha edhe përjashtimi i Nikola Jokiçit për protestë ndaj gjyqtarëve, ndonëse Serbia ishte në vështirësi edhe duke pasur në fushë yllin e Denverit.

Sfidanti.al