Çiklizmi nuk është i lumtur për ikjen e “toreadorit” Kontador!

Nuk mundi të ishte vetvete vitet e fundit. Alberto Kontador ndjeu se erdhi momenti i tij për të thënë “mjaft”, vetëm pak ditë pasi këtë e bëri një tjetër legjendë e sportit, Vladimir Kliçko. Çiklisti i madh spanjoll ka mbi supe 34 vite jetë, që do të bëhen 35 në dhjetor, ndërsa fizikisht garat e shquara në Francë, Itali e Spanjë, kërkojnë gjithnjë e më shumë sesa mund të japë ai. Në Turin e fundit të Francës ai doli në vendin e 9-të, me të gjithë ata që dolën para tij, disa vjet më të rinj.

Kontador fitoi dy Ture të Francës, dy Xhiro të Italisë dhe tri Vuelta të Spanjës, në një karrierë të shkëlqyer profesioniste që prej vitit 2003. “Nuk kam asnjë pendesë që po iki, – u shpreh ai, – jam i lumtur me ato që kam fituar, dhe kam fituar shumë”. Ai nuk mundi të ishte një Merks, Ankëtil, Hino, Indurain apo Frum, por do të mbahet mend si një nga çiklistët më të mëdhenj të historisë.

Sfidanti.al