Pas “Nejmarit”, fillon “Telenovela Mbape”, PSG e Real janë aktorët!

Gjatë gjithë verës, njeriu më i kërkuar ka qenë ky. Kilian Mbape është bashkuar sërish me Monakon, por është thuajse e sigurt se do të largohet, ndonëse jo shumë larg. Përveç Realit, e ndoshta Barcelonës, në garë ka hyrë një konkurrent tjetër, që quhet Paris SG. Klubi francez i presidentit Naser Al Helaifi nuk ka mbetur plotësisht i kënaqur as me blerjen astronomike të Nejmarit.

Përveç 222 milionë eurove të dhëna, indirekt, për brazilianin, njoftohet se një operacion tjetër i jashtëzakonshëm mund të bëhet për 18-vjeçarin Mbape, me vlerë 180 milionë euro. Nuk dihet nëse adoleshenti do të pranojë të lerë Monakon për një rival brenda Francës, por në futbollin profesionist mund të ndodhë gjithçka, dhe mund të mos habisë asgjë.

Njëqind e tetëdhjetë milionë euro është saktësisht shifra që klubi i Principatës kërkon për kartonin e Mbapesë, ndërsa nuk është e qartë nëse presidenti i Realit, Perez, do të pranojë të shpenzojë kaq shumë, qoftë edhe për një talent të madh dhe të ri. Për momentin, Mbape është pjesë e skuadrës kampione të Francës, drejtuar nga trajneri Zhardim, që e nisi me fitore ligën e parë, ndonëse e pati shumë të vështirë ndaj Tuluzës, duke ia dalë në shtëpi vetëm me shifrat 3-2.

Sfidanti.al