Mediumet angleze publikuan, së fundmi, një lajm se një pasanik misterioz kinez synon që të blejë Mançester Junajtidin. Ky biznesmen i papërcaktuar kinez do që të blejë aksionet e Junajtidit, megjithëse mediumet në Angli konsiderojnë se mbas kësaj përpjekjeje qëndron qeveria në Pekin dhe se ky është një vendim që ëshë marrë në udhëheqjen më të lartë shtetërore. Shifra e saktë nuk jepet, por, sikurse dihet, Junajtidi është klubi më me vlerë në botë dhe kinezët, nëse, me të vërtetë, vendosin që ta blejnë klubin, do të duhet të paguajnë disa miliarda euro, ndërkohë që dihet se familja amerikane Glejzer, kohë më parë, ka refuzuar që ta shesë Junajtidin për 2,5 miliardë euro.
Familja e lartpërmendur amerikane, në fakt, ka 80 për qind pronësi të Junajtidit dhe, sikurse thuhet, dëshiron që të heqë dorë nga pjësa e saj e aksioneve, ndërkohë që tre nga gjashtë djemtë e familjes Glejzer, gjithashtu, duan që të heqin dorë nga pjesa e vet në këtë klub anglez gjë që i shkon shumë për shtat kinezit misterioz.
sfidanti.al