Bukuroshja në këmbët e Parisit, Sharapova rrezikon “Rolan Garosin”

Nuk ia doli që ta siguronte vetë një “biletë” dhe tani duhet të vendosin të tjerët për Maria Sharapovën. Rusja rrezikon të mbetet jashtë Grand Slemit të “Rolan Garosit” në Paris, pasi u eleminua në gjysmëfinalet e turneut të Shtutgartit. “Pova” u mund nga Kristina Mladenoviç e Francës, njëra prej kritikeve më të forta të saj që kur u dënua për shkak të dopingut.

Bukuroshja që jeton në SHBA e tregoi gjithë mungesën e ritmit të ndeshjeve dhe për këtë nuk ishte faji i saj, në kuptimin që ishte e dënuar dhe nuk mund të luantel. “Masha” fitoi setin e parë 6-3, dhe ishte në epërsi në të dytin duke i marrë shërbimin Mladenoviçit, por më pas e lanë forcat dhe francezja ia doli 2-1 me sete (3-6, 7-5, 6-4).

Gjithsesi, më shumë sesa thjesht për Parisin, Sharapova duhet të mendojë për atmosferën që do të jetë rreth saj, tani që u rikthye. Siç pritej, ajo u pyet në konferencën për shtyp lidhur me dopingun, pra nëse e kishte të vështirë jetën në tenis pas asaj që i ndodhi. Rusja u përgjigj që “jo”, duke thënë se nuk ishte e para që i kishte ndodhur diçka e tillë, por besohet se marrëdhëniet e tensionuara mes Rusisë dhe Perëndimit do të ndikojnë në raportet e saj me mediat perëndimore dhe tenistët perëndimorë.

Sfidanti.al