Buker e Pol mundin Donçiçin, Feniksi triumfon edhe në Dallas

Jo më kot për momentin është ekipi numër 1 i NBA-së. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë deri në fund të sezonit të rregullt e pastaj në plej of, por Feniks Sans po tregon se jo rastësisht ishte vjet në finalen e madhe, të humbur me Miluokin. Fitorja 109-101 në fushën e Dallasit ishte një provë e vërtetë. Buker shënoi 28 pikë, si dhe pati 5 topa në tabela e 6 asistë. Kris Pol ndihmoi shokët me 20 pikë dhe me 11 asiste (specialiteti i tij), plus 5 topa në tabela, 2 vjedhje topi e një bllokim gjuajtjeje.

Pesë lojtarë të Feniksit shënuan më shumë se 10 pikë, dhe 8 basketbollistë realizuan nga 9 që u aktivizuan gjithsej. Edhe pse ekipi nga Arizona pati mungesa të shumta (4 lojtarë), sërish ia doli të përballonte Dallasin jashtë fushe. Luka Donçiç nuk luajti keq për teksanët, duke shënuar edhe ai 28 pikë, si dhe 8 topa në tabela e 8 asistë, por mori vlerësim të dobët (-7). Kjo sepse e humbi 8 herë topin duke qenë i pakujdesshëm, si dhe gaboi shumë për tri pikë, me 2 realizime nga 9 prova. Porzingis shtoi 18 pikë e 11 topa në tabela, por Dallasi nuk u ngjit dot në nivelin e detyrës, sidomos në periudhën e 4-ët.

Sfidanti.al