Botas fiton provat në SHBA, Verstapen tërbohet me Hamiltonin!

Para një javë, holandezi ishte shënjestra e sulmit të përbashkët të kampionit të botës dhe të Seb Fetelit. “Maks Verstapen është një problem në Formula 1”, – deklaruan dy pilotët e famshëm, dhe numri 1 i Red Bullit nuk është se u kënaq. Ai mezi priti të ndodhte diçka tjetër për t’u hedhur menjëherë në sulm. Rasti i erdhi, kur Ljuis Hamilton e nxorri nga pista në provat zyrtare në SHBA. “Ja pra, këtë herë ishte faji i tij, – thirri Verstapeni i zemëruar, në komunikim në radio, – çfarë dreqin po ndodh!” Më pas, holandezi deklaroi se “Ljuisi u soll sikur nuk kishte asnjë pilot tjetër në pistë, ishte pa respekt, dhe nëse ai sillet pa respekt, kështu do të sillem edhe unë”.

Debati mes tyre hijezoi fitoren e provave nga Valteri Botas, që do të niset nga vendi i parë, sot në Çmimin e Madh të SHBA-së në Ostin të Teksasit. Konkurrenca ishte shumë e ashpër, dhe tre vendet e para u ndanë nga vetëm 7 të qindat e sekondës. Pas Mercedesit të Botasit dolën, Fetel (Ferrari), Verstapen (Red Bull), Leklerk (Ferrari) dhe Hamilton.

Sfidanti.al