Bostoni, Miluoki dhe Hjustoni fitore të tjera në playoffin e NBA

Bostoni thyen Indianën edhe në ndeshjen e dytë të raundit të parë të playoffit në kampionatin amerikan të basketbollit. Në TD Garden, ndeshja mes këtyre dy skuadrave përfundoi me rezultatin 99-91 në favor të Seltiks duke marrë kryesimin në serinë e ndeshjeve me Pejsërs në 2-0. Protagonisti absolut për skuadrën e Bostonit u bë Kajri Irving me 37 pikë, 6 assist dhe 7 topa në tabelë. Ndeshja e tretë mes Bostonit dhe Indianës do të luihet në fushën e kësaj të fundit, me Pejsërs që do të kërkojë të ndryshojë situatën dhe ta kthejë në favorin e saj.

Miluoki dhe Detroit kanë diferenca të mëdha dhe kjo u duk edhe në ndeshjen e dytë mes tyre me skuadrën e Baks që e fitoi bindshëm atë me rezultatin 120-99 dhe tani kryeson 2-0 ndaj Pistons. Detroit në pjesën e parë arriti të kryesoje 59-58 duke krijuar idenë se mund t’ia dilte mbanë përballë skuadrës më të mirë të sezonit të rregullt të NBA. Por Miluoki nuk vonoi shumë që të marrë kontrollin e lojës në dorë duke e vendosur fatin e ndeshjes praktikisht në periodën e tretë kur regjistroi rezultatin e pjesshëmn 35-17.

Në ndeshjen tjetër të NBA, Hjustoni mundi Jutah Xhaz me rezultatin 118-98. Edhe në këtë rast dyshimet për skuadrën fituese ishin inekzistente pasi kuadra teksane e dominoi takimin falë edhe paraqitjes së jashtëzakonshme të Xhejm Harden me 32 pikë, 13 topa në tabelë dhe 10 assist.

sfidanti.al