Gulit leksion Solskjerit: Në “Kamp Nou” nuk sulmohet kurrë!

Mançester Junajtidi, në fakt, e nisi me furi ndeshjen e dytë çerekfinale të LK-së në “Kamp Nou”, duke krijuar dy raste të pastra që në dy minutat e para, por, megjithatë, loja sulmuese nuk solli fryt, duke qenë se ekipi vendas i ndëshkoi rreptë “djajtë e kuq” që në fazën e hershme të duelit. Lionel Mesi e hapi rezultatin me një gol fantastik sipas stilit të tij dhe, që në min. e 20-të, loja u bë 2-0, pasi portieri David de Hea reagoi katastrofikisht ndaj një topi jo të fortë të asit argjentinas, kështu që i ashtuquajturi vrull i Junajtidit u ndal pa filluar mirë, sepse Barça e futi shpejt situatën në duart e veta dhe, sipas legjendarit Rud Gulit, faji për humbjen 3-0 duhet kërkuar te trajneri Ole Solskjer.
“Mançester Junajtidi bëri një gabim të madh taktik. Unë e kuptoj se ju mund të sulmoni, kur luani në fushën tuaj dhe mund t’ia lejoni vetes që të tregoheni aventurierë, por Solskjeri nuk e bëri këtë në ndeshjen e parë. Bëri mirë apo keq, gjykojeni vetë. Por, të vish në ‘Kamp Nou’ dhe menjëherë të sulmosh? Këtë unë nuk e kuptoj, sepse kështu nuk fitohet në ‘Kamp Nou’. Nuk më besoni? Atëherë, pyesni Liverpulin dhe Çelsin që kanë arritur të fitojnë këtu ose edhe Atletikon. Mos guxoni të sulmoni në ‘Kamp Nou’, sepse iu del për hundësh dhe këtë bëri pikërisht Junajtidi”, vuri në dukje Guliti, duke shtuar: “Dhe ky ishtë gabimi taktik i Solskjerit”.
Sfidanti.al