Bolt tregon atletin që do t’i thyejë rekordin

Usain Bolt mund t’i ketë varur këpucët e garës, por vazhdon të jetë njeriu më i shpejtë në botë, pas atyre 9.58 sekondave të pabesueshme në 100 metra në Kampionatin Botëror të Atletikës në Berlin, në vitin 2009. E vërteta është se 16 vjet më pas, askush nuk ka arritur ta thyejë këtë rekord, të cilit ai i shtoi edhe rekordin olimpik (9.63 sekonda) tre vjet më vonë, në Londër 2012.

Tani, xhamajkani që ka fituar tetë medalje të arta olimpike, beson se ka një pasardhës: i fundit në renditjen e garës së 100 metrave në Paris 2024. “E ndiej që Oblique mund ta bëjë. Nëse arrin të qëndrojë në formë gjatë sezonit, nëse gjithçka shkon mirë, ndiej që ai ka kapacitetin, jam i sigurt që ka diçka ndryshe, ka aftësinë për ta arritur,” – vlerësoi ish-atleti në një podcast.

Bolt zgjodhi xhamajkanin Oblique Seville, 24 vjeç, si atletin me më shumë potencial për të thyer rekordet e tij, duke anashkaluar, për shembull, Kishane Thompson – gjithashtu bashkëkombës i tij– i cili doli i dyti pas Noah Lyles në finalen e 100 metrave në kryeqytetin francez, verën e kaluar.

“Ndonjëherë Oblique mund të jetë i brishtë, por është çështje pune. Nëse punon mirë, do ia dalë. Është vetëm çështje kohe,” parashikoi Bolt.

Seville tashmë e ka mposhtur kampionin aktual të 100 metrave, Lyles, në Racers Grand Prix në qershor të vitit 2024, dhe koha e tij më e mirë në 100 metra është 9.81 sekonda.

“Të vrapoj 9.81, duke ditur që trupi im ende nuk është zhvilluar plotësisht, tregon që kam shumë për të përmirësuar – teknikisht dhe në aspektin e forcës,” tha Seville, i cili ka të njëjtin trajner që ka udhëhequr edhe Bolt, i cili ka fituar 11 medalje të arta në kampionate botërore.

“Nuk ndiej asnjë presion. Jam si të gjithë të tjerët, jap më të mirën që mundem,” siguroi Seville.

 

sfidanti.al