Një boksier britanik nuk do ta zhvillojë ndeshjen e tij këtë të shtunë për një arsye jo shumë të zakonshme. Ahmet Paterson do të përballej me rivalin Lajëm Uilliams për titullin britanik të peshës së mesme në boksin profesionist, por u detyrua ta shtynte për shkak se u sulmua në rrugë nga disa të panjohur që e goditën me tullë në fytyrë. Paterson po vraponte, pjesë e përgatitjes së tij për takimin, ndërsa goditja me tullë i la dëmtime në fytyrë dhe në sy. Një boksier shumë i mirë, ende i pathyer në karrierë, 29-vjeçari do të duhet të rikuperohet dhe pastaj të mendojë për të vazhduar prorfesionin. “Pashë se disa njerëz ishin mbledhur diku në rrugë përpara meje, – tregoi ai, – u përpoqa t’i shmangesha, por më bllokuan rrugën dhe pastaj më gjuajtën me tullë. Sapo unë nisa të mbrohesha ata u larguan. Ishin tre vetë”. Londinezi u shpreh shumë i zhgënjyer që nuk do ta zhvillojë dot ndeshjen në Kardif të Uellsit, që po e përgatiste prej 2 muaj.