Kohët po ndryshojnë, rrjedhimisht edhe futbolli. Një nga temat më të nxehta për sportin më popullor në botë, përdorimi i teknologjisë në fushë për rastet kontestuese, është rikthyer në qendër të vëmendjes nga Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino. Ky i fundit njoftoi, se teknologjia do të praktikohet në Kupën e Botës, “Rusi 2018”, teksa foli në Samitin Ekzekutiv për Futbollin, të zhvilluar në Paris, ku morën pjesë presidentët dhe sekretarët e përgjithshëm të federatave anëtare të qeverisë së futbollit.
Bordi ndërkombëtar i Federatave, në marsin e kaluar vendosi që teknologjia në fushë t’i nënshtrohet një testi për dy vjet e gjysmë, për të parë sesa do të jetë në gjendje të ndihmojë gjyqtarët, në marrjen e vendimeve të duhura në kohë reale. Deri tani, ligat që kanë marrë përsipër kryerjen e këtij testimi, janë ato të Gjermanisë, Australisë, Brazilit, Holandës, Portugalisë dhe SHBA-së. Samiti i radhës i FIFA-s do të mbahet në Singapor, në datat 6, 7 dhe 8 dhjetor të këtij viti.