Vitin e shkuar shpërtheu një fushatë e komanduar, për të bindur opinionin, që ky që po luhej ishte kampionati më i mirë i të gjitha kohërave. Çdo ndeshje shoqërohej me epitetin “super” dhe çdo zë kundër etiketohej mëkatar, pasi tentonte me pa të drejtë të përdhoste produktin. Në prag të sezonit të sivjetshëm, u njoftuam se do të ndiqnim një sezon edhe më spektakolar se i mëparshmi, për hir të merkatos dhe sofistikimit të mënyrës së organizimit të aktivitetit. Por shifrat dhe paraqitjet në fushën e lojës janë kundër. Mungojnë dukshëm golat (deri tani, më pak se dy të shënuar për ndeshje), ndërsa mënyra e justifikimit, për të mbajtur të vlefshëm nocionin “edicion spektakolar” është vërtetë gjetje e jashtëzakonshme.
Analistët pro idesë së progresit thonë, se është rritur ndjeshëm rivaliteti (dhe kjo qenka një tjetër risi), kështu që është rritur edhe numri i ndeshjeve që përfundojnë në barazim. Po golat e pakët, gjë që e vret spektaklin? Edhe për këtë e ka një arsye. Skuadrat kujdesen më shumë për mbrojtjen, pasi fillimisht nuk duan të humbasin. Në fakt, kjo është një logjikë shumë e varfër dhe e vërteta është, që në 55 takime të zhvilluara deri tani, vetëm me gishtat e njërës dorë mund të numërohen ato që ja kanë vlejtur për t’u ndjekur. Ky kampionat është shumë i zymtë, ndërsa për spektakël ndoshta duhet të presim tjetrin, së bashku me fushatën reklamuese, që sigurisht do ta paraprijë si gjithmonë.